+355 694835881 info@insq.gov.al

TIRANË, 26 SHTATOR 2013 Sot, USAID/Shqipëri i dorëzoi Inspektoratit Qendror të Shqipërisë 260 Paketa Portabël Inspektimi, që kanë në përbërje një laptop, një skaner dhe një printer portabël, me qëllim përdorimin e tyre në terren nga inspektorët për një inspektim eficient, në kohë reale.

Asistentja e Administratorit të USAID/Uashington në Zyrën për Europën dhe Eurazinë, Paige Alexander, Ministrja e Inovacionit dhe e Administrimit Publik Milena Harito dhe Inspektorja e Pergjithshme e Inspektoratit Qendror Mimoza Hajdarmataj mbajtën fjalën e tyre në ceremoninë e rastit. Alexander theksoi rëndësinë e procesit të reformës në inspektim dhe faktin që, për herë të parë, Qeveria e Shteteve të e Bashkuara ka dhënë asistencë nëpërmjet sistemeve të Qeverisë Shqiptare.

Veprimtaritë e inspektimeve nga ana e shtetit janë jetike për të siguruar respektimin e legjislacionit në ruajtje të shëndetit, të sigurisë në punë, të mjedisit dhe në fusha të tjera. Megjithatë, në Shqipëri, procedurat e inspektimeve ishin të tejzgjatura dhe të kushtueshme për bizneset, duke bërë që ata të harxhonin mesatarisht 45 ditë pune në dispozicion të inspektimeve të ndryshme.

Për të ulur barrën ndaj biznesit, për të rritur efiktivitetin dhe përmirësuar transparencën e veprimtarive të inspektimeve, Qeveria Shqiptare ndërmorri një reformë rregullatore në fushën e inspektimeve. Inspektorati Qendror, i krijuar në vitin 2011, për të bashkërenduar dhe përmirësuar cilësinë e të gjitha inspektimeve, filloi punën për krijimin e “Portalit e-Inspektimi”, që konsiston në pajisje e programe elektronike dhe në politika e procedura që ndihmojnë inspektorët shtetërorë të bashkërendojnë, të kryejnë dhe të monitorojnë inspektimet në mënyrë të besueshme dhe transparente, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe informalitetit.

Ndihma e USAID/Shqipëri për Inspektoratin Qendror është unike në këtë lloj, sepse është hera e parë që USAID/Shqipëri ka përdorur sistemet e Shtetit Shqiptar të prokurimit dhe të financave, për kanalizimin e fondeve të SHBA-së, të destinuara për asistencën për zhvillim.

Bashkëlidhur fjala e Paige Alexander, Asistente e Administratorit të USAID-it për Zyrën e Europës dhe të Euro-Azisë
Bashkëlidhur fjala e Inspektores së Përgjithshme, Znj. Mimoza Hajdarmataj