+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot në datën 15 Shkurt 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari u takua, në prani të medias së shkruar dhe asaj audiovizive me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore me tematikë funksionimi efektiv dhe me përparësi të Inspektimeve Online.

Në takim pas prezantimit nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm të axhendës së takimit për prezantimin e parë publik të inspektimit online pranë subjektit Coca Cola, ai theksoi rëndësinë që ka kjo ditë e fillimit të inspektimeve online për rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të ekipeve të inspektimit. Teknologjia dhe portali “e-Inspektimi” do të jenë mjeti më efikas për arritjen e objektivave për më shumë transparencë, efektivitet dhe pa-anshmëri në prodhimin e Akteve të Inspektimit. Po kështu, inspektimi online sipas procedurave ligjore, do të ndihmojë trupat e inspektimit për të kryer detyrën e tyre shtetërore me përgjegjësi të lartë profesionale dhe nga ana tjetër do të ndihmojë dhe mbrojë biznesin e ndershëm.

Në takim, ku ishin të pranishëm të gjithë Kryeinspektorët dhe përfaqësuesit e Inspektorateve Shtetërore, e mori fjalën edhe Z. Dritan Ylli, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Punës e Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH). Ai duke e përgëzuar Inspektoratin Qendror për punën e këmbënguljen e treguar, shprehu gatishmërinë maksimale të trupës së tij të inspektimit për kryerjen e inspektimit online, duke theksuar se inspektimet online do të jenë zgjidhja e duhur për rritjen e pa-anshmërisë dhe profesionalizmit të grupeve të inspektimit, dhe shmangien e korrupsionit gjatë procesit të inspektimeve.

Po ashtu edhe Kryeinspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Z. Dritan Sejko u shpreh i gatshëm dhe i vendosur për kryerjen e inspektimeve online. Ai foli për anët pozitive të kryerjes së inspektimeve online, duke theksuar edhe mundësinë që krijon portali dhe paketat portabël për nxjerrjen në pah të të metave të punës së inspektorëve.

Z. Eltar Deda në fjalën e tij theksoi dhe vlerësoi bashkëpunimin me Inspektoratin Qendror për fillimin e procesit të inspektimeve online, duke shprehur angazhimin e grupeve të inspektimit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për më shumë transparencë efektivitet dhe kursim të kohës për biznesin dhe vetë grupet e inspektimit.

Menjëherë pas takimit Inspektori i Përgjithshëm, i ftoi Kryeinspektorët e pranishëm. si dhe mediat që mbulonin aktivitetin që t’i bashkohen grupeve të punës së inspektimeve të përbashkëta online që do të shkonin të kryenin të tre Inspektoratet Shtetërore së bashku: AKU, ISHPSHSH, si dhe ISHSH, nën drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qendror, pranë Kompanisë Coca Cola në Tiranë.

Gjatë inspektimit online pranë Kompanisë Coca Cola të tre trupat e inspektimit në prani të mediave dhe të përfaqësuesve të këtij biznesi kryen procesin e inspektimit të përbashkët online nga ora 11:00 deri në orën 14:00. I gjithë procesi u zhvillua në përputhje me ligjin për inspektimet, mbi bazën e dokumentave të standartizuara, listave të verifikimit (check-listave) sipas objekteve të punës së tre Inspektorateve.

Theksojmë se, duke filluar nga data e sotme Inspektoratet Shtetërore do t’i kryejnë inspektimet në këtë formë ligjore në Tiranë dhe shumë shpejt duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Inspektorati Qendror është i vendosur për të zbatuar ligjin për inspektimet duke drejtuar, koordinuar dhe mbikëqyrur të gjithë Inspektoratet Shtetërore për kryerjen e inspektimeve në këtë formë ligjore.

Për realizimin e këtij objektivi kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë biznesit vendas apo të huaj që operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe dhomave të tyre të përfaqësimit, duke informuar Inspektoratin Qendror për çdo parregullsi që konstatojnë gjatë kryerjes së inspektimeve.

Pasqyrimi nga ana Juaj e këtij aktiviteti do të ishte shumë i vlefshëm, pasi do të ndihmonte në sensibilizimin e biznesit dhe opinionit publik, për këtë proces transparent që filloj sot me zbatimin praktik të inspektimeve online.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm
Inspektorati Qendror

Institucioni