+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot në datën 7 Korrik 2017, u mbajt në ambientet e Inspektoratit Qendror takimi i zgjeruar me Bashkimin e Dhomave të Biznesit dhe Prodhuesve, si dhe përfaqësues të Këshillit të Investimeve, me temë: “Inspektimet online – sfida e përbashkët e biznesit dhe e trupave të inspektimeve”. Ky takim i thirrur Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë nën përkujdesjen e në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror synoi në rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit dhe rritja e transparencës së Inspektorateve Shtetërore në dobi të biznesit privat.

Në fjalën përshëndetëse të Inspektorit të Përgjithshëm, pasi shprehu vlerësimin e
tij dhe Inspektoratit Qendror për rolin pozitiv që kanë marrë Dhomat dhe Bashkimet e Biznesit si përfaqësuese të drejtpërdrejta të interesave të ligjshëm të bizneseve private, u theksua se që nga dita e Hënë, datë 10.07.2017, inspektimet do realizohen vetëm online. Nuk ka me asnjë arsye për mos zbatimin e këtij detyrimi ligjor. Nuk do ketë më inspektime me blloqe pasi tashmë ISH-të janë të pajisura me laptop, printer, shërbim Interneti, si dhe të gjithë inspektorët janë të trajnuar, elemente këto të nevojshme për ta realizuar inspektimin online, duke përdorur sistemin elektronik të inspektimeve “e-Inspektimi”; e gjithë procedura e inspektimit duhet të përfundohet në subjekt, gjithashtu të gjithë inspektorët duhet të jenë të pajisur me kartën e inspektorit. Në rast se nuk zbatohen kërkesat ligjore për një inspektim të rregullt ligjor, inspektorët apo trupat inspektuese do jenë subjet e objekt i shkeljeve të rënda ligjore.

Në fjalën e saj Znj. Ines Muçostepa, Kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, duke shprehur vlerësimin e saj për rolin drejtues e koordinues që sipas saj ka marrë Inspektorati Qendror për formalizimin e ekonomisë dhe uljen e barrës së biznesit të ndershëm, kërkoi ndërgjegjësimin dhe qasjen sa më aktive të biznesit në mbështetje të kryerjes së inspektimeve online, në mënyrë transparente, me lista verifikimi e dokumente tashmë të miratuara e të publikuara jo vetëm në faqen e Internetit të Inspektoratit Qendror, por edhe në faqet e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë si dhe Dhomave te Biznesit e vetë bizneseve.

Ne si përfaqësues të biznesit do të jemi në mbështetje të nismave dhe reformave ligjore që synojnë rritjen e transparencës së punës së inspektorëve shtetërore dhe ne kemi besim se realizimi i inspektimeve online me dokumenta të standardizuara e lista verifikimi uniforme e transparente, lehtësohet barra e biznesit dhe rriten treguesit e të bërit biznes në një klimë të shëndetshme, jo vetëm për bizneset e sipërmarrjet private vendase por edhe ato ndërkombëtare.

Në kontributet e ndërhyrjet e pjesëmarrësve në takim së pari u shpreh mbështetja për nisma të tilla në procesin e reformimit të inspektimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kosotot e tyre të përditshme, por u shpreh vullnet i mirë për të dhënë kontributin e tyre në rritjen dhe ndërgjegjësimin, veçanërisht të Biznesit të Vogël. Ata thanë se e shohin qasjen e re për minimizimin e korrupsionit dhe klientelizmit nga ana e Qeverisë shqiptare si një nismë që do të ketë mbështetjen e plotë të bizneseve private si dhe Bashkimeve apo Dhomave të tyre përfaqësuese.

Në të njëjtën kohë u shpreh nevoja që krahas reformimit tërësor të trupave të inspektimit, të shihet me përparësi edhe mbështetja me trajtim më të mirë monetar e logjistik për Inspektoratet Shtetërore. Që nga momenti i marrjes në punë dhe përgjatë karrierës së ngritjes në detyrë Inspektori korrekt me zbatimin e ligjit duhet mbështetur e inkurajuar, ashtu sikurse ai inspektor apo grup inspektimi, çështjet (aktet administrative) të të cilit do të anullohen me vendim gjykate do të marrë vlerësim të ulët të performancës së tij.

U shkëmbyen mendime dhe ide lidhur me afatet ligjore të lajmërimit të inspektimit si dhe me afatin e të drejtës për ankimim. Po ashtu përfaqësuesit e biznesit ishin unanim në pozicionin e tyre që organi kolegjial, apo komisioni për shqyrtimin e apelimit të aktit administrativ të shkallës së parë të jetë një trupë profesionale e qendërzuar dhe jo pranë inspektoratit shtetëror që e nxjerr aktin e inspektimit, si akt administrativ.
Biznesi do të paraqesë shumë shpejt pranë Institucioneve të hartimit të politikave si dhe pranë Inspektoratit Qendror propozimet konkrete lidhur me pozicionin e tyre, për ta bërë sa më transparent e eficent procesin e inspektimit, larg klientelizmit dhe ndikimeve politike.

Nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm u kërkua bashkëpunim i biznesit e dhomave të tyre ku aderojnë për kryerjen e inspektimeve vetëm online, në mënyrë ligjore e transparente.
Faqja e Internetit e Inspektoratit Qendror https://www.insq.gov.al do të ketë gjithnjë informacione të plota lidhur me çdo veprim dhe procedurë inspektimi konform ligjit.

Gjithashtu, ekspertët e Inspektoratit Qendror do të jenë të gatshëm dhe në dispozicion të biznesit për këshillim e mbështetje, rol të cilin e kanë marrë përsipër edhe Bashkimet si dhe Shoqatat e Biznesit e sipërmarrjes private.