+355 694835881 info@insq.gov.al

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, z. Shkëlqim Hajdari pati nderin të pres sot në një takim në ambientet e Inspektoratit Qendror, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Japonisë në Tiranë SH.T.Z. . Makoto ITO.

Inspektori i Përgjithshëm, pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re e fisnike si Ambasador i parë rezident i Japonisë në Shqipëri, e informoi z. ITO mbi funksionet e detyrat kryesore të Inspektoratit Qendror, si institucioni bërthamë rregullatore dhe e udhëheqjes metodologjike të të 15 (pesëmbëdhjetë) Inspektorateve Shtetërore. Gjatë vitit të fundit janë bërë përpjekje serioze nga ana e Inspektoratit Qendror për ndryshimin e imazhit të punës së Inspektorateve Shtetërore.

Nga ana e Ambasadori ITO, pasi shprehu vlerësimin e tij për mundësinë e takimit, kërkoi informacion mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Inspektorateve Shtetërore, si dhe në mënyrë të posaçme mbi rolin e Inspektoratit Qendror, si Institucion udhëheqës.

Inspektorati Qendror krahas punës me bizneset dhe dhomat e përfaqësimit, përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit (MoU), ka kërkuar përfshirjen e vetë bizneseve në procesin e reformimit të Inspektorateve Shtetërore, me synimin për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të punës së inspektorateve dhe çfarë është më e rëndësishmja, për reduktimin e barrës administrative të biznesit që vjen nga veprimtaria e agjencive ligj zbatuese në fushën e inspektimeve.

Inspektori i Përgjithshëm shprehu bindjen se industria japoneze e pajisjeve elektronike dhe e aplikacioneve software do të ishte një shembull avant-garde për t’u marrë në konsideratë, përpara se projekti të paraqitet për financim pranë Qeverisë Shqipëtare, në fillim të muajit Shtator, si dhe donatorëve të huaj.

Po ashtu, Inspektori i Përgjithshëm theksoi nevojën për marrjen e informacioneve dhe mundësinë e organizimit të takimeve të drejtë- përdrejta me industrinë Japoneze në fushën e sigurisë ushqimore, si dhe të industrisë së ndërtimit (siguria e ndërtesave dhe e objekteve shtetëtërore e private).
Japonia si vend lider në botë, në fushën e zhvillimit ekonomik, teknologjik e manaxherial ka se çfarë na mëson në kuptimin e shkëmbimit të përvojave e praktikave më të mira lidhur me menaxhimin e kualitetit të lartë e menaxhimit të burimeve njerëzore.

Takimi ishte tejet i përzemërt, duke lënë të hapur komunikimin për vendosjen e kontakteve institucionale me shtetin Japonez, e sipërmarrjet private, që ofrojnë shërbime shtetërore e private (si laboratoret e pavaruara, të çertifikuara ndërkombëtarisht) në Japoni.