+355 694835881 info@insq.gov.al

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për Reformimin e Administratës Publike me financim nga Bashkimi Europian, sot më datë 27 Mars 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror u zhvillua takimi me Z. Jean – Pierre DALLE, Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës, Z. Yve Doutriaux, Gjyqtar dhe Anëtar i Këshillit të Lartë për Juridiksionin e Ligjit Administrativ të Republikës së Francës, Znj. Milena Harito, Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike, Përfaqësues të Biznesit shqiptar, të huaj, Profesor të botës Akademike, si dhe Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për prezantimin e përvojës franceze në fushën e inspektimeve, të praktikave më të mira Europiane me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe reformimin e sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes Inspektori i Përgjithshëm pasi i uroj mirëseardhjen të pranishmëve në takim, e vuri theksin në arritjet për reformimin dhe standartizimin e inspektimeve përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi” të Inspektoratit Qendror.

Ai përmendi punën e përbashkët me dhomat e biznesit, universitetet, publikun dhe median për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të trupave të inspektimit. Inspektimet online janë një prioritet për punën e të gjitha Inspektorateve. Inspektori i Përgjithshëm ritheksoi vendosmërinë që brenda Qershorit të vitit 2017 të gjithë trupat e inspektimit të Inspektorateve Shtetërore do të kryejnë me dokumentat standarte dhe online pranë bizneseve dhe enteve publike dhe private.
Inspektorati Qendror do të jetë institucioni i cili do të vendosë në një marrëdhënie bashkëpunimi transparent Inspektoratet Shtetërore me biznesin.

Bashkëpunimi me Inspektoratin e përgjithshëm të Administratës të Republikës së Francës sapo ka filluar dhe në takimet e ardhshme do të finalizohet me firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi afatgjatë midis dy institucioneve tona.

Në fjalën e saj Ministrja Znj. Milena Harito theksoi se Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur për modernizimin e inspektimeve nën drejtimin e Inspektoratit Qendror. Sistemi elektronik i inspektimeve thjeshtëzon procedurën e inspektimit, e bën atë standarte dhe uniforme të bazuar në ligj, është tashmë e konsoliduar dhe duhet përdorur nga të gjitha Inspektoratet Shtetërore për kryerjen online të inspektimeve

Më pas u kalua në diskutime nga ana e grupeve të interesit: Prof. Arben Malaj, duke shprehur vlerësimin për praninë e Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Republikës së Francës në Shqipëri, solli optimizmin e tij për rolin që luajnë grupet e interesit si dhe Universitetet në sfidën e vështirë të formalizimit dhe standartizimit të inspektimeve.
Inspektoratet Shtetërore duhet të jenë trupa të pavarura profesioniste e besnike ndaj ligjit e rregullave standarte me integritet e profesionalizëm.

Universiteti Luarasi që unë drejtoj theksoj Prof. Malaj do të jetë partner i denjë për arritjen e suksesit për inspektime ligjore në vendin e biznesit duke përdorur sistemin elektronik “e-Inspektimi”.
Në fjalën e tij Z. Agim Rrapaj, Përfaqësues i Agrobiznesit vendas, e vuri theksin në lidhjen e drejtpërdrejtë që ekziston në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të inspektimeve dhe shtimit të investimeve të drejtpërdrejta.

Biznesi i ndershëm vendas dhe i huaj është i gatshëm të investojë në teknologji dhe zgjidhje për rritjen e sigurisë ushqimore kur aplikohen rregulla të qëndrueshme dhe transparente për të gjitha bizneset.
Ai kërkoj ndihmën e Inspektoratit Francës të Administratës për finalizimin me sukses të inspektimeve online në metodologji të bazuar në risk.

Në fjalën e tyre disa prej Kryeinspektorëve të Inspektorateve Shtetërore duke shprehur vlerësimin e tyre për organizimin e këtij takimi duke prezantuar dhe vështirësitë me të cilat ndeshën me punën e përditshme ,me nevojat që ata kanë për mbështetje me fonde dhe logjistikë për një kuadër ligjor të harmonizuar dhe pa mbivendosje të kompetencave.
Rakordimi i përpjekjeve ndërmjet Agjencive ligje zbatuese për penalizmin e operatorëve të biznesit të pa licencuar është një sfidë për të cilën Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror do të ketë angazhim maksimal.

Në pjesën e dytë të takimit nga ana e Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës, Z. Jean – Pierre DALLE, u bë prezantimi i mënyrës së funksionimit të inspektimeve për inspektoratin që ai drejton. Takimet me Z. Jean – Pierre DALLE, do të vazhdojë në datën 28 Mars 2017 me vizitën në tre Inspektoratet Shtetërore më të mëdha në Tiranë (Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore), pas një takimi në Inspektoratin Qendror.