+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot më datën 17 Tetor 2017, në orën 14:00 në ambientet e Inspektoratit Qendror u zhvillua një takim i Zëvendëskryeministres Znj. Senida MESI dhe Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari me Kryeinspektoret e të gjitha Inspektorateve Shtetërore.

Inspektorati Qendror ka bërë të mundur pajisjen me laptop e printer portabël si dhe me lidhjen Internet (përmes pajisjes USB Modem) për të gjitha grupet e inspektimeve të Inspektorateve Shtetërore. Inspektimet online me dokumenta e lista verifikimi të standardizuara duke përdorur sistemin elektronik janë kërkuar të kryhen online në të gjithë vendin duke filluar nga muaji Korrik 2017. Aktualisht vetëm Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria Rajonale e Tiranës ka kryer e po kryen në vazhdimësi inspektime online.

Në fjalën e saj Znj. Senida MESI, pasi bëri një prezantim të shkurtër për reformimin e inspektorateve shtetërore e agjencive me funksione inspektuese, shprehu vlerësimin e mbështetjen e saj për kryerjen e inspektimeve të formalizuara duke rritur transparencën e ulur kostot ndaj biznesit. Reformimi i Inspektorateve Shtetërore dhe Agjencive të tjera që kryejnë inspektime janë prioritet i qeverisë shqiptare. Reforma synon që t’i organizojë Inspektoratet Shtetërore mbi bazë objekti e qëllimi të përbashkët me qëllim shmangien e inspektimeve të njëjta nga Inspektorate të ndryshme siç ka ndodhur.  Qeveria është e vendosur theksoi Zv. Kryeministrja, për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës së punës së Inspektorateve Shtetërore në zbatim të ligjit. Duhen minimizuar e bërë zero fenomenet e gjobvënies apo sjelljeve abuzive të trupave të inspektimit. Duhen minimizuar inspektimet e programuara, ato të kryhen vetëm mbi bazën e analizës së riskut dhe për raste të pashmangëshme. Inspektimet rastësore duhen bërë vetëm në koordinim e bashkëpunim më Inspektoratin Qëndror, sipas dokumenteve standarde e listave të verifikimit. Për më tepër Znj. Mesi e vuri theksin tek transformimi i Inspektorateve në trupa profesionistësh dhe me sistem karriere.

Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm bëri një paraqitje të sintetizuar të punës e përpjekjeve gjatë vitit të fundit, në bashkëpunim me bizneset e dhomat e biznesit, vendase e të huaja për standardizimin e inspektimeve me lista verifikimi e dokumente të publikuara në faqen e internetit dhe të njohura për bizneset. Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se inspektimet online janë zgjidhja shëruese për korrupsionin e klientelizmit në fushën e inspektimeve.

Vetëm inspektimet e formalizuara me dokumenta standarde, e lista verifikimi transparente, të realizuara përmes sistemit elektronik për inspektimet do të kryhen nga inspektorët e inspektorateve shtetërore në të gjithë vendin. Kjo është rruga e vetme e standardeve që kërkon Bashkimi Europian dhe që shnang korrupsionin, rrit transparencën dhe mbështet biznesin e ndershëm dhe lufton informalitetin. Ristrukturimi do të mbështetet duke marrë eksperincën dhe asistencën e vendeve më të zhvilluara të BE-së në fushën e Inspektimeve.

Roli i inspektorëve shtetëror do të fokusohet më shumë në këshillime e udhëzime për biznesin, se sa sanksione e devijime nga zbatimi i ligjit.

Të gjitha Inspektorët e Inspektorateve Shtetërore, sipas shembullit më të mirë të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Rajonal të Tiranës, do të kryejnë vetëm inspektime online, si një proces i rregullt ligjor e administrativ.

Inspektorati Qendror

Bashkëngjitur gjeni Vendimin Nr. 1 të dates 12.10.2017, të Komitetit Drejtues të Ristrukturimit të Institucioneve të Varësisë