+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot u nënshkrua në ambientet e Inspektoratit Qendror Memorandumi i Bashkëpunimit e partneritetit strategjik ndërmjet Rektorit të Institucionit të Arsimit të Lartë – Kolegjit Luarasi- Profesor Arben Malaj dhe Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi në pranin e stafit të Inspektoratit Qendror dhe studentëve të ekselencës së Kolegjit Luarasi, si dhe mediave të shkruara dhe atyre televizive shënon fillimin e një bashkëpunimi afat gjatë. Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari ftoi akademikët e studentët e këtij kolegji Universitar që të shohin me optimizëm e shpresë , pasi biznesi i ndershëm do të ketë nevojë për kuadro me dije bashkëkohore e shkathtësitë teknologjike që duhen për të ardhmen. Biznesi i ndershëm do të ketë nevojë të punësojë Ju të nderuar studentë për ti edukuar e përgatitur dokumentacionin e duhur që kërkon inspektimi me metodologji të mirë përcaktuar, bazuar në risk, me dokumentacione e lista verifikimi të standardizuara, nën udhëheqjen e Inspektoratit Qendror. Të gjithë ju, familjet tona e shoqëria si e tërë, duan mjedis më të pastër, frymëmarrje pa ndotje, ilaçe të kontrolluara, ushqime të sigurta, shëndetësi e punë të sigurta, mbrojtje të punëtorëve e veçanërisht të minatorëve. Inspektorati Qendror në partneritet me Universitetin Luarasi, me botën akademike, me dhomat e biznesit dhe biznesin e ndershëm do të bëj të mundur një Shqipëri me më pak informalitet, me më pak abuzivitet, e më shumë transparencë e siguri në ushqime e ilaçe. Me qëllim rritjen e efektivitetit të trupave dhe grupeve të Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore dhe uljen e barrës administrative që rëndon biznesin, është krijuar regjistri elektronik i Inspektorëve, si dhe janë bërë pjesë e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online që të gjitha Inspektoratet Shtetërore.

Kolegji Universitar Luarasi, si përfaqësuese i denjë i Institucioneve të Arsimit të Lartë privat në Shqipëri, do të jetë promotore e praktikave më të mira për kryerjen e inspektimeve me dokumente e lista verifikimi të standardizuara nën udhëheqjen metodologjike e me analiza mbi bazën e riskut të Inspektoratit Qendror.

I pranishëm në nënshkrimin e këtij Memorandumi Bashkëpunimi ishte edhe Z. Arben Shkodra Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Shkodra e vuri theksin tek funksioni mbikëqyrës e rregullator të Inspektimeve për formalizimin e standardizimin e biznesit, shmangien e abuzivitetit, uljen e informalitetit, uljen e barrës së të bërit biznes si dhe rritjen e efektivitetit të trupave inspektuese. Biznesi, theksoi Z. Shkodra e ka përqafuar dhe e mbështet qasjen e re të inspektimeve online dhe mbështet punën e Inspektoratit Qendror.

Dhoma e tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar do të bëjë publike përmes mjeteve e rrugëve të saj që të gjitha dokumentat standarde, listat e verifikimit, si dhe regjistrat e inspektorëve për të gjitha bizneset përkatëse, anëtar të tyre.
Partneriteti strategjik i Inspektoratit Qendror me Dhomat e Biznesit, me Universitetet e me me vetë biznesin e ndershëm e median do të vazhdojë të jetë i hapur e transparent me qëllim sjelljen e përfitimeve te drejtpërdrejta për vetë biznesin e publikun e gjerë.