Misioni dhe Funksionet

Bazuar ligjit Nr.10 433, datë 16.6.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” është krijuar Inspektorati Qendror si institucion qendror buxhetor në varësi të Kryeministrit.
Inspektorati Qendror ka për mision përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të inspektimit në Republikën e Shqipërisë.

Inspektorati Qëndror ka këto funksione:

  • Bashkërendon dhe mbështet veprimtarinë e inspektorateve shtetërore e të inspektorateve vendore;
  • Jep mendim këshillimor për programet e inspektimit, të hartuara nga inspektoratet shtetërore;
  • Miraton rregulla të përgjithshme, bazë, për metodologjinë e vlerësimit të riskut, programimin e inspektimeve, dokumentimin e veprimtarisë së inspektimit, si dhe raportimin e veprimtarisë së inspektorateve;
  • Miraton rregulla të përgjithshme për treguesit e përgjithshëm të efektivitetit dhe të cilësisë së veprimtarisë së inspektimit, si dhe kriteret e vlerësimit të tyre;
  • Jep mendime për çdo nismë ligjore dhe nënligjore në fushën e inspektimit;
  • Mbikëqyr zbatimin e këtij ligji e të ligjit të posaçëm nga inspektorët shtetërorë, për programimin, autorizimin dhe kryerjen e procedimit të inspektimit, dhe ka të drejtë të propozojë marrjen e masave disiplinore ndaj inspektorëve dhe Kryeinspektorit Shtetëror, në rast të konstatimit të shkeljeve prej këtyre të fundit;
  • Përgatit raportin vjetor të përgjithshëm të inspektimeve dhe ia paraqet për njohje Këshillit të Ministrave;
  • Bashkërendon veprimtarinë e trajnimit e të kualifikimit të inspektorëve;
  • Miraton kërkesat specifike për arsimimin e inspektorëve në inspektoratet shtetërore dhe vendore;
  • Kryen testimin fillestar dhe periodik të inspektorëve;
  • Krijon dhe mban një portal unik të inspektimit, që shërben për programimin dhe bashkërendimin e inspektimeve, shkëmbimin e të dhënave ndërmjet inspektorateve të ndryshme, si dhe për informimin e publikut;
  • Mban listën e përditësuar të inspektorëve në detyrë për çdo inspektorat shtetëror dhe vendor dhe e publikon atë në faqen zyrtare të internetit.

Për realizimin e funksioneve të tij, Inspektorati Qendror ka të drejtë të kërkojë të gjithë informacionin e nevojshëm për veprimtarinë e inspektorateve shtetërore dhe të inspektojë dosjet e inspektimit, si dhe çdo dokument tjetër të lidhur me programimin e kryerjen e procedimeve administrative të inspektimit. Inspektorati Qendror nuk ndikon në zhvillimin e procedimit dhe vendimmarrjen përkatëse për një rast konkret.

Procedurat e hollësishme për ushtrimin e kompetencave të Inspektoratit Qendror, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.