+355 694835881 info@insq.gov.al

Konferenca Rajonale në kuadër të Inisiativës Qeverisje e Hapur, Partnership me Shoqërinë Civile dhe Përfshirja e Publikut në Qeverisje

Në datat 10 dhe 11 Shtator 2015, në ambientet e Kishës Orthodokse të Tiranës u zhvillua Konferenca Rajonale në kuadër të Inisiativës Qeverisje e Hapur, Partnership me Shoqërinë Civile dhe Përfshirja e Publikut në Qeverisje.

Iniciativa për Partnershipin Qeveri – Shoqëri Civile (OGP) është një iniciativë që e ka zanafillën në vitin 2011 (e iniciuar nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – SH.B.A.-ve) dhe ka synuar të ofrojë një platformë të hapur për politika vendore reformuese, për reformues në qeveritë e vendeve pjesëmarrëse të angazhuar për t’i bërë qeveritë e tyre më të hapura, më të përgjegjshme dhe me ndjeshmëri ndaj publikut. Qe prej fillimit te saj OGP është rritur nga vetëm 8 vende në 66 vende anëtare. Në të gjitha vendet anëtare të kësaj iniciative qeveritë dhe shoqëritë civile po punojnë së bashku për të zhvilluar dhe zbatuar reforma ambicioze për një qeverisje të hapur.

Risia e kësaj konferencë ishte se në dallim nga konferenca e një viti më parë ku kishte pjesëmarrje vetëm nga organizatat jo – qeveritare e shoqëria civile, në këtë konferencë ishin pjesë e të njëjtave panele si përfaqësuesit e qeverive të vendeve të rajonit ashtu edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe publikut.
Përgjatë paneleve të kësaj konferencë u debatuan ide dhe përvoja nga vendet e rajonit me qëllim përfshirjen e publikut dhe shoqërisë civile në vendim-marrjet e qeverive rritja e transparencës për publikun ndaj vendimeve e strategjive me ndikim në përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e mirëqenies, përdorimin e mënyrave të reja bashkëkohore teknologjike në këto drejtime.

Nga Ministria shqiptare e Inovacionit dhe Administratës Publike u sollën si përvoja pozitive të qeverisë shqiptare, Portali Unik I Administratës Publike, për punësimin, aplikimet online, kryerja online e prokurimeve publike, eksperienca pozitive Klasave me tablete e borde Inteligjente; e Komisariatit dixhital; si dhe zhvillime të tjera risi pozitive në fushën e teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve.
Edhe nga përfaqësues të qeverive të vendeve të rajonit u sollën në vëmendje të konferencës, sipas paneleve e temave përkatëse përvoja e zhvillime me interes në fushën e rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe përfshirjes së shoqërisë civile në vendim marrjet e qeverive të vendeve përkatëse.
Inspektori i Përgjithshëm, si dhe stafi drejtues në Inspektoratin Qendror ishte pjesëmarrës aktiv në ditët e kësaj Konference Rajonale.
Evenimente dhe Konferenca të tilla Rajonale përbëjnë interes për njohjen e përvojave të mira, si dhe shmangien e përvojave që nuk kanë rezultuar të suksesshme në rajon e më gjerë

Trajnimet e kryera nga Inspektorati Qendror, për vitin 2014, për ligjin 10433, date 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

Inspektorati Qendror në kuader të misionit të tij për standardizimin e procedurave të inspektimit dhe përmirësimin e efektivitetit të trupave inspektuese në Republikën e Shqipërisë, më datë 10.11.2014 ka kryer trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për zbatimin e Ligjit nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

Inspektorati Qendror në kuader të misionit të tij për standardizimin e procedurave të inspektimit dhe përmirësimin e efektivitetit të trupave inspektuese në Republikën e Shqipërisë:

– në datat 20, 21, 22 Tetor 2014 ka kryer trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit Qendror Teknik.

– më datë 19 shtator 2014 ka kryer trajnimin e inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë.

– më datë 17 Shtator 2014 ka kryer trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave.

– në muajt Mars-Prill 2014 ka kryer trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit Shteteror të Punës dhe Sherbimeve Shoqerore.

Java e Inovacionit

Sot, më datë 10 Maj 2014, Inspektori i Përgjithshëm, Z. Ilir ZELA mori pjesë në hapjen e Javës së Inovacionit, e cila organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito.
Në hapjen e kësaj jave, morën pjesë edhe Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi, Ministrja e Arsimit e Sportit znj. Lindita Nikolla dhe përfaqësues të agjencive e institucioneve specifike të fushës së Inovacionit në Shqipëri.

Inspektori i Përgjithshëm foli për Ligjin për inspektimin Nr. 10433, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” i cili ka krijuar një legjislacion unik që harmonizon kuptimin e termit të inspektimit, ku janë përcaktuar parimet, metodologjitë dhe procedurat e inspektimit, programimet e inspektimit, trajnimet dhe testimet, si dhe format organizative me synim reduktimin e numrit të trupave inspektuese, me parimin “1 ( një) inspektorat për ministri”.
Gjithashtu një rendësi të veçantë, në fjalën e z. ZELA, kishte Portalit unik i inspektimeve, “e-Inspektimi” i cili është një sistem elektronik në kuadrin e platformës së Qeverisjes elektronike, që është zhvilluar si një zgjidhje e përgjithshme për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të funksioneve të inspektimit.
Përmes implementimit të portalit unik të inspektimeve “e-Inspektimi” është synuar:
– në rritjen e transparencës në inspektime;
– në rritjen e përgjegjshmërisë dhe përmirësimin e llogaridhënies në sistemin e inspektimeve;
– uljen e barrës së panevojshme administrative për biznesin, si dhe
– reduktimin e hapësirave korruptive.
Portali “e-Inspektimi” mundëson të gjitha hapat procedurale të inspektimit: Planifikimin; Metodologjinë dhe standardizimin e dokumenteve; Menaxhimin e riskut; Regjistrat e subjekteve, objekte, rregullave; Veprimet; Përgatitja e çështjes për inspektim; Fushën (ambientin e punës) duke përfshirë krijimin dhe gjenerimin on-line të dokumenteve); Afatet (mesazhe njoftimi); Punën pas inspektimit; Menaxhimin e dokumenteve, arkiv dixhitale; Analiza dhe raportimi, monitorimi i aktivitetit të biznesit; dhe komunikimin nëpërmjet internetit.

“Java e Inovacionit” do të organizohet nga datat 10-16 maj 2014 dhe është eventi më i madh dhe i pari i këtij lloj në Shqipëri, i organizuar nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike. Gjatë “Javës së Inovacionit” do të këtë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh, duke konkretizuar kështu, çështje të rëndësishme si dixhitalizimi në shumë fusha si arsimi, shëndetësia, mjedisi apo energjetika, deri tek dixhitalizimi i të dhënave qeveritare dhe ofrimi i shërbimeve publike online.

USAID i dorëzon Inspektoratit Qendror Paketat Portabël të Inspektimit

TIRANË, 26 SHTATOR 2013 Sot, USAID/Shqipëri i dorëzoi Inspektoratit Qendror të Shqipërisë 260 Paketa Portabël Inspektimi, që kanë në përbërje një laptop, një skaner dhe një printer portabël, me qëllim përdorimin e tyre në terren nga inspektorët për një inspektim eficient, në kohë reale.

Asistentja e Administratorit të USAID/Uashington në Zyrën për Europën dhe Eurazinë, Paige Alexander, Ministrja e Inovacionit dhe e Administrimit Publik Milena Harito dhe Inspektorja e Pergjithshme e Inspektoratit Qendror Mimoza Hajdarmataj mbajtën fjalën e tyre në ceremoninë e rastit. Alexander theksoi rëndësinë e procesit të reformës në inspektim dhe faktin që, për herë të parë, Qeveria e Shteteve të e Bashkuara ka dhënë asistencë nëpërmjet sistemeve të Qeverisë Shqiptare.

Veprimtaritë e inspektimeve nga ana e shtetit janë jetike për të siguruar respektimin e legjislacionit në ruajtje të shëndetit, të sigurisë në punë, të mjedisit dhe në fusha të tjera. Megjithatë, në Shqipëri, procedurat e inspektimeve ishin të tejzgjatura dhe të kushtueshme për bizneset, duke bërë që ata të harxhonin mesatarisht 45 ditë pune në dispozicion të inspektimeve të ndryshme.

Për të ulur barrën ndaj biznesit, për të rritur efiktivitetin dhe përmirësuar transparencën e veprimtarive të inspektimeve, Qeveria Shqiptare ndërmorri një reformë rregullatore në fushën e inspektimeve. Inspektorati Qendror, i krijuar në vitin 2011, për të bashkërenduar dhe përmirësuar cilësinë e të gjitha inspektimeve, filloi punën për krijimin e “Portalit e-Inspektimi”, që konsiston në pajisje e programe elektronike dhe në politika e procedura që ndihmojnë inspektorët shtetërorë të bashkërendojnë, të kryejnë dhe të monitorojnë inspektimet në mënyrë të besueshme dhe transparente, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe informalitetit.

Ndihma e USAID/Shqipëri për Inspektoratin Qendror është unike në këtë lloj, sepse është hera e parë që USAID/Shqipëri ka përdorur sistemet e Shtetit Shqiptar të prokurimit dhe të financave, për kanalizimin e fondeve të SHBA-së, të destinuara për asistencën për zhvillim.

Bashkëlidhur fjala e Paige Alexander, Asistente e Administratorit të USAID-it për Zyrën e Europës dhe të Euro-Azisë
Bashkëlidhur fjala e Inspektores së Përgjithshme, Znj. Mimoza Hajdarmataj

Marrëveshja ndermjet usaid dhe inspektoratit qëndror finalizohet me sukses

Një ndër risitë kryesore të Reformës në Inspektime, është dixhitalizimi i procedimit të inspektimit dhe kryerjen e saj online në kohë reale, nëpërmjet portalit e-Inspektimi. Për këtë është e rëndësishme pajisja e inspektorëve me kite portative të inspektimit që mundësojnë aksesimin e tyre online gjatë procedimit të inspektimit në biznese.

Inspektorati Qendror dhe USAid më datë 15 Shkurt 2013 nënshkruan një marrëveshje për të mundësuar pajisjen e inspektorëve me këto kite për inspektoratet pilot që janë: Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR), Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Peshkimit (ISHMPUP), Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) dhe Zyra Shqiptare Për Të Drejtat e Autorit (ZSHDA). Marrëveshja parashikon pajisjen me kite inspektimi të 260 inspektorëve dhe çdo kit përbëhet nga një kompjuter laptop dhe nga një skaner e printer portabël.

Aktualisht Inspektorati Qendror, së bashku me subjektin e kontraktuar për pajisjen e inspektorëve me kite inspektimit, po trajnon këta të fundit në përdorimin efektiv të tyre gjatë procedimit të inspektimeve online, sipas procedurave të reja të Ligjit për Inspektimin, nëpërmjet portalit e-Inspektimi.

Trajnimi i Trupave Inspektuese në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Peshkimit (ISHMPUP)

Vazhdon trajnimi i inspektorëve për parimet dhe proçedurat e reja të inspektimit nsipas Ligjit për Inspektimin. Më datat 3 dhe 5 Prill janë trajnuar inspektorët e ardhshëm të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Peshkimit, që aktualisht ushtrojnë funksionet e tyre në institucione në varësi të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave.

Plani i trajnimit bëhet për rritjen e kapaciteteve në kuadër të finalizimit të Reformës në Inspektime nga Inspektorati Qendror. Mbështetur në nenin 16 të Ligjit për Inspektimin, bashkërendimi i veprimtarive të trajnimit dhe kualifikimit të inspektorëve është një ndër funksionet këtij institucioni.

Qëllimet e programit të trajnimit janë ndërgjegjësimi mbi kërkesavet e reja ligjore për inspektorët, drejtuesit e ministrive dhe inspektorateve, si dhe komunitetin e biznesit. Aftësimi me proçedurat e sakta administrative për kryerjen e inspektimeve, si dhe të drejtat dhe detyrimet që lindin me ndryshimet ligjore në fushën e inspektimit. Rritje e kapaciteteve teknike të inspektorëve në aspektet proçeduriale dhe metodologjitë e inspektimit, për përmirësimin e vazhdueshëm të performances.

Baza ligjore mbi të cilën është hartuar programi është: ligji 10433, datë 16.06.2011 “Mbi Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe relacioni shpjegues; ligji 10279, datë 20.05.2010 “Për Kundërvajtjet Administrative”; ligji 8485, datë 12.05.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”; ligji 8116, datë 29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile, Titulli III, Kreu II, Nenet 324-333 (lidhen me shqyrtimin gjyqësor të mosmarrëveshjeve administrative); VKM Nr. 630, Datë 14.09.2011, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit Qendror”. Gjithashtu dhe projekt akte dhe materiale të përgatitura nga Inspektorati Qendror, ekspertë të huaj dhe lokalë: projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në legjislacionin në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe relacioni shpjegues; projekt paketa ligjore për riorganizimin e trupave inspektuese 7 VKM “Për funksionimin dhe organizimin e inspektorateve shtetërore në shtatë ministri” dhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në legjislacionin në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”; “Rregullore për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike Në Inspektoratin Qendror”Materiali “Portali e-Inspection, Specifikimet Teknike për Realizimin e Sistemit të Informacionit për Inspektoratin Qendror” (i sintetizuar).

Pas kësaj faze të parë, duke qenë se Ligji për Inspektimin prashikon çertifikimin periodik të inspektorëve , Inspektorati Qëndror po përgatit programet e trajnimit në vazhdimësi si dhe metoda të testimit dhe vlerësimit të njohurive dhe shkallës së përditësimit të tyre nga inspektorët.