+355 694835881 info@insq.gov.al

TAKIM ME KRYEINSPEKTORËT E INSPEKTORATEVE SHTETËRORE

Inspektori i Përgjithshëm: Realizimi i procedurës së inspektimit si një proces i rregullt ligjor

Sot, më datë 06 Dhjetor 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim HAJDARI, zhvilloi takimin e përmuajshëm të punës me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e punës së inspektorateve.

Inspektori i Përgjithshëm paraqiti pranë të pranishmëve ecurinë e procesit punës për ristrukturimin e institucioneve me funksione inspektuese, si dhe të ecurisë së inspektimeve, për muajin Nëntor 2017, ku theksoi se shumica e inspektorateve shtetërore po kryejnë inspektime online.

Inspektimet jo-ligjore (me blloqe), tashmë janë histori e së shkuarës, pasi inspektimet realizohen vetëm on-line, me dokumente standarde, listë verifikimi, të pajisur me kartën e inspektorit, si një proces i rregullt administrativo ligjor, ashtu siç është detyrimi ligjor për të gjithë Inspektoratet Shtetërore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si një prioritet i Qeverisë Shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit shkz. Edi Rama.

Inspektori i Përgjithshëm kërkoi ri-trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave dhe Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit për përmirësimin e aftësive në realizim e procedurës së inspektimit online.

Në fjalën e tij, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi që programet vjetore dhe mujore të inspektimit të jenë të bazuara në analizën e vlerësimit të riskut, që paraqet çdo subjekt objekt inspektimit, ku përveç detyrimit ligjor, kjo vjen edhe si rrjedhojë e angazhimit të Inspektoratit Qendror në projektin anti-korrupsin, të drejtuar nga Bashkimi Europian.

Në përfundim të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm, ri-theksoi nevojën e rritjes së transparencës, zvogëlimin e barrës ndaj biznesit, si dhe dhënien e ndihmës për ta standardizuar dhe formalizuar.