+355 694835881 info@insq.gov.al

TAKIM ME KRYEINSPEKTORËT E INSPEKTORATEVE SHTETËRORE

Inspektori i Përgjithshëm: Fund inspektimeve të paligjshme dhe korruptive

Sot, më datë 01 Nëntor 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim HAJDARI, zhvilloi takimin e përmuajshëm të punës me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm pasi shprehu pakënaqësinë e tij dhe të Institucionit që ai drejton për mungesën e disa Kryeinspektorëve në takim, u paraqiti të pranishmëve ecurinë e procesit punës për ristrukturimin e institucioneve me funksione inspektuese, si dhe bëri një paraqitje të ecurisë së inspektimeve online për muajin Tetor 2017.

Inspektimet on-line janë detyrim ligjor për të gjithë Inspektoratet Shtetërore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe prioritet i Qeverisë Shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit shkz. Edi Rama.

Inspektori i Përgjithshëm kërkoi që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Inspektorati Shtetëror i Ujit, të ndërpresin menjëherë inspektimet e paligjshme.

Ligji nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimi  nr. 1, datë 12.10.2017, i Zv. Kryeministres, si kryetare e Komitetit Drejtues për Ristrukturimin e Institucioneve të Varësisë”, i detyron trupat inspektuese t’i kryejnë inspektimet të planifikuara, duke e njoftuar biznesin sipas detyrimit ligjor, të pajisur me kartën e inspektorit, si dhe online në prani të biznesit.

Inspektori i Përgjithshëm, urdhëroi që brenda 10 (dhjetë) ditëve, Inspektoratet Shtetërore të mësipërme (ISHMP, IKMT, AKU, ISHSH dhe ISHU) ti kryejnë inspektimet me dokumente standarde, listë verifikimi, të pajisur me kartën e inspektorit ,onlinë, si një proces i rregullt administrativo ligjor, ashtu si 11 (njëmbëdhjetë) inspektoratet e tjera shtetërore, të cilat e realizojnë me sukses procedurën e inspektimit online.

Në përfundim të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se kjo mënyrë e kryerjes së inspektimit, përveç se detyrim ligjor, do të shmang korrupsionin, klientelizmin dhe praktikat abuzive ndaj biznesit, si dhe njëkohësisht do ti kthejë trupat e inspektimit në profesionistë. Një proces i tillë ligjor administrativ rrit transparencën, zvogëlon barrën ndaj biznesit, si dhe e ndihmon atë për t’u standardizuar dhe formalizuar. Gjatë takimit, sektori i IT të IQ dhe IT e  Inspektorateve Shtetërore diskutuan në nivel teknik zgjidhjen e të gjitha problematikave për sigurimin e funksionimit të sistemit elektronik të inspektimit.