+355 694835881 info@insq.gov.al

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me Profesor e Ekspertë të shquar të fushave të tyre të ekspertizës

Në takimin e sotëm të zhvilluar në ambientet e Inspektoratit Qendror me Profesor e ekspertë të fushave të ndryshme, objekte të inspektimit, me temë reformimin e sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë, fillimisht të pranishmëve ju urua mirë se ardhja dhe u shpreh vlerësimi për angazhimin e tyre në interes të publikut dhe formalizimit të ekonomisë.

Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm bëri një përmbledhje të arritjeve e sfidave për reformimin e inspektimeve në Shqipëri, për rritjen e efektivitetit e transparencës të trupave inspektuese goditjen e korrupsionit duke ulur barrën e biznesit për formalizimin e ekonomisë e përmirësimin e klimës së biznesit (fjala e plotë e Inspektorit të Përgjithshëm në linkun e mëposhtëm).

Fjala e plotë e Inspektorit të Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari

Në fjalën e tij Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare Z. Sandër Lleshi, theksoi nevojën e reformimit të sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë nga dy këndvështrime: Reforma në strukturë dhe reforma në procedurë.

Në fjalën e tij ekspertët e konsulentët që kanë hartuar ligjin ekzistues “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ligji 10433, Z, Artan Hoxha, Z, Jordan Daci, dhe Z. Zhani Shapo sollën në vëmendje të të pranishmëve parimet e mëshiruara në ligjin për inspektimet, si dhe u shprehën pozitivisht për nevojën e përmirësimeve e ndryshimeve ligjore.

Në fjalën e tij Z. Alban Zusi, President i Qendrës Shqipëtare të eksporteve shprehu entuziazmin e tij dhe të bizneseve që ai përfaqëson, si dhe shprehu mbështetjen e plotë për reformimin e sistemit të inspektimeve. Më poshtë lutem gjeni linkun me fjalën e plotë të Z. Zusi.

Mendime për draft ligjin 10 433 “Për inspektimin në RSH”, nga Qendra e Eksporteve Shqipëtare

Në fjalën e tij Z Arjan Jaupllari u shpreh për reformimin e sistemit të inspektimeve, dhe krijimin e Komisionit të Apelimit pranë Inspektoratit Qendror. Ai po ashtu u shpreh për nevojën e thithjes së investimeve për krijimin e laboratorëve private të certifikuara e të akredituara. Nga ana e tij u shpreh vlerësim për mundësimin e një objekti multifunksional në truallin aktual të Inspektoratit Qendror, ndërtesë në të cilën të vendosen të gjitha Inspektoratet Shtetërore, si dhe ato Inspektorate që kanë Drejtori Qendrore për Tiranën.

Profesor Rexhep Uka duke shprehur vlerësim për ndryshimin e imazhit te Inspektoratit Qendror, si Institucion bërthamë rregullatore për të gjitha Inspektoratet Shtetërore e ato të Qeverisjes vendore, duhet të përshtat ligjet e praktikat më të mira në fushën e inspektimeve me kritere të matshme për kontrollin e subjekteve dhe me tregues konkret për matjen e performancës së Inspektorëve Shtetërorë.

Z. Arben Shkodra si përfaqësues i unionit të prodhuesve theksoi se biznesi e ka pritur shumë mirë kryerjen e inspektimeve online me dokumente standarde e lista verifikimi të implementuara në sistemin elektronik për Inspektimet Online. Biznesi theksoi ai mbështet çdo përpjekje të reformimit të sistemit të inspektimeve që ka për synim rritjen e transparencës dhe uljen e barrës së biznesit. Biznesi i ndershëm shtoi ai, kërkon rregulla të qarta, e transparente, të unifikuara për të gjithë.

Gjithashtu, në takimin e sotëm shprehën mendimin e pozicionin e tyre si ekspertë te fushave përkatëse edhe Znj. Frosina Gjino, për Punën dhe Sigurinë në Punë; Z. Roland Kristo si ekspert për peshkimin, Z. Vladimir Pasku për fushën e arsimit, Z. Vullnet Haka si biznesmen, Z. Bardhyl Balteza, biznesmen, Z. Arsen Proko si shkencëtar për pyjet, përfaqësues të Biznes Albania, si dhe të Shoqatës së Transportit ndër urban e ndërkombëtar, Z. Kujtim Harshova. Nga ana e Z. Romeo Sherko si biznesmen dhe ekspert I sistemit elektronik për inspektimet online pasi u shpreh vlerësimi I tij për reformimin e sistemit të inspektimeve theksoi nevojën e parashikimit të fondeve të duhura jo vetëm për objektin multifunksional të ndërtesës së re por edhe për programme e sisteme elektronike bashkëkohore që të mbështesin inspektimet online me dokumente standarde e check lista të implementuara në sistemin elektronik për inspektimet online. Po ashtu u shpreh nevoja për përmirësimin gradual të pajisjeve të inspektimeve (tablet e printera elektronik).

Në takim shprehu mendimin dhe vlerësimin e tij lidhur me këtë diskutim të hapur edhe konsulenti anglez pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Menaxhimit të Ujërave Z. Rober Connor. Ky ekspert I fushës së veterinarisë shprehu mbështetjen e tij për inspektime me dokumente standarde e check lista të implementuara në sistemin elektronik thjeshtim e standardizim të procedurave, për një sistem inspektimesh të bazuar ne karrierën profesionale të inspektorëve sipas meritës e përvojës, për laboratorë sa më profesionale e të bazuara në ekspertizë.

Si përmbledhje e diskutimeve të mësipërme nga takimi u konkludua se:

1. Inspektoratet Shtetërore dhe trupat apo agjencitë që ushtrojnë funksione inspektuese, pra që prodhojnë akte administrative duhet të ri formatohen/ristrukturohen në bazë të objektit (të fushave) e të qëllimit të inspektimit. Kjo sjell nevojën e uljes së numrit të Inspektorateve Shtetërore;

2. Sistemi I karrierës në inspektime duhet garantuar me ndryshime ligjore dhe duhen specifikuar qartazi kriteret, numrin e viteve për tu ngjitur në karrierë, autoritetin kontrollues e monitorues të performancës së tyre, trajnimin e vazhdueshëm të Inspektorëve shtetëror e atyre vendor;
3. Rritjen e qartësimin e kompetencave të Inspektoratit Qendror si struktura e koordinimit, udhëheqjes metodologjike e dhe mbikëqyrjes së Inspektorateve Shtetërore.
Nga ana e ekspertëve të pranishëm në takim u kërkua sjellja e mendimeve dhe opinioneve te tyre me rrugë elektronike, si dhe diskutimi i materialeve të shpërndara edhe me grupet e tyre të interesit.

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me Drejtorin e Projektit Anti-Korrupsion Z. Detleff Kreutzer, si dhe me ekspertët e tij.

Sot në datën 02 Gusht 2017, u zhvillua në ambientet e Inspektoratit Qendror një takim midis Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari si dhe drejtuesve të Projektit për Formulimin, Koordinimin dhe Zbatimin e Politikave anti – Korrupsion pranë Qeverisë Shqiptare, me financim nga BE, Z. Detleff Kreutzer, si dhe me ekspertët e tij.

Inspektori i Përgjithshëm e njohu Z. Kreutzer dhe personat që e shoqëronin me projektet konkrete për ristrukturimin e ri formatimin e Inspektorateve Shtetërore; me projektin mbi ndryshimet ligjore të ligjit mbi Inspektimin në Republikën e Shqipërisë; Projektin për fuqizimin e kapaciteteve dixhitale të sistemit elektronik për inspektimet online si dhe projektin për përmirësimin e kushteve të punës së Inspektorateve Shtetërore. Inspektori i Përgjithshëm, po ashtu prezantoi nevojën për fuqizimin e kapaciteteve të laboratorëve private të akredituar në Shqipëri.

Të gjitha këto ndryshime do të bëjnë të mundur që inspektoratet shtetërore dhe ato vendore të kthehen në trupa profesionale, me sistem karriere, gjë e cila do të bëjë të mundur c ‘rrënjosjen e korrupsionit në fushën e inspektimeve në Shqipëri.

Z. Kreutzer, theksoi se i vlerëson shumë këto projekte bashkëkohore, të standardizuara, që duhet të kenë Inspektoratet Shtetërore dhe shprehu mbështetjen e tij për këto projekte. Ai theksoi se edhe BE, mbështet e po punon fort për eliminimin e korrupsionit në tërë Administratën Shtetërore në Shqipëri.

Takim i Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror (Gjermania mbështet Reformën në Inspektime për të ç’ rrënjosur korrupsionin në këtë sistem)

Znj. Susanne Schütz, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, priti sot në një takim Inspektorin e Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari, pranë ambienteve të kësaj ambasade.
Inspektorin i Përgjithshëm e njohu Znj. Ambasadore me pozicionin ligjor që ka Inspektorati Qendror në raport me Inspektoratet Shtetërore dhe ato pranë qeverisjes Vendore

Ai i paraqiti situatën në të cilën ndodhet Inspektimi në Shqipëri dhe reformat që duhet të ndërmerren në këtë fushë të rëndësishme e me ndikim, në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi.

Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se kjo reformë po kryhet në bashkëpunim me biznesin, me Institucionet Rregullatore të vendeve të Bashkimit Europian, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe etj, si dhe me akademikë e profesorë të shquar.
I gjithë materiali po koordinohet me Zyrën e ngritur nga Kryeministri për Menaxhimin e Situatës (ZOS), dhe me Këshilltarin e Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare Z. Sandër Lleshi.

Gjatë takimit, Znj Ambasadore u njoh me Projektin e Reformimit të Sistemit të Inspektimit, që bazohet në katër shtylla:
1. Ristrukturimi i Inspektorateve Shtetërore duke ulur numrin e tyre.
2. Ndryshimet e ligjit nr.10433, datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duke synuar futjen e elementëve të karrierës në punësim, e ngritjen në detyrë të Inspektorëve Shtetërore.
3. Fuqizimin e kapaciteteve digitale bashkëkohore për të kryer Inspektimet me dokumente standarde, metodika bashkëkohore, bazuar në risk, online, pranë biznesit e në prani të tij.
4. Domosdoshmëria për ngritjen e Laboratorëve Shtetërore të akredituara e të pavarura private për kryerjen e analizave të produkteve, objekte të inspektimit, me paanshmëri e në mënyrë shkencore.
Inspektori i Përgjithshëm theksoi se kjo reformë duke kaluar në këto etapa shmang korrupsionin, klientelizmin dhe rrit transparencën e punës së trupave inspektuese duke formalizuar biznesin e ndershëm në Shqipëri.

Ambasadorja Gjermane, Znj. Susane Schütz e vlerësoi Projektin e Reformimit të Sistemit të inspektimeve në Shqipëri, si një projekt serioz e profesional, për reformimin e trupave të inspektimit, siç janë në vendet e Bashkimit Europian.
Ajo garantoi se Gjermania në kuadër të Projektit të vlerësimit e hartimit të Strategjive për Luftimin e Korrupsionit do të ndihmojë Inspektoratin Qendror me projekte konkrete metodologjike e financiare për realizimin e kësaj reforme.