+355 694835881 info@insq.gov.al

Takim pune me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore.

Sot më datë 03 Maj 2017 në ambientet e Inspektoratit Qendror, Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim pune me 15 (pesëmbëdhjetë) Kryeinspektorët dhe Zv. /Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm ndër të tjera theksoi detyrimin e Inspektorateve Shtetërore dhe Trupave inspektuese për zbatimin e ligjit nr. 152/2013 “Ligjin për nëpunësin civil”, ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe besueshmërisë midis trupave inspektuese dhe bizneseve me qëllim rritjen e efektivitetit të veprimtarisë inspektuese drejt formalizimit të ekonomisë dhe këshillimin e trupave inspektuese për të qenë sa më të korrekt në marrjen e masave administrative, për të minimizuar aktet administrative të shfuqizuara në proceset e ankimimit. Një indikator i treguesit për performancën e inspektorit do të jenë vendimet e marra prej tyre.

Inspektimet on-line si prioritet i Qeverisë, tashmë janë detyrim ligjor jo vetëm i Drejtorive Rajonale Tiranë, por duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pavarësisht problematikave që mund të hasin gjatë përdorimit të sistemit elektronik.

Inspektorati Qendror është i angazhuar për të siguruar shërbimin e internetit edhe për Drejtoritë Rajonale të Inspektorateve Shtetërore.

Për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional Inspektori i Përgjithshëm propozoi takime periodike me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore në fillim të çdo muaji.

Menjëherë pas takimit, Inspektori i Përgjithshëm ka nxjerrë Urdhrin nr. 284 prot, datë 03.05.2017 “Për kryerjen e inspektimeve on-line”, ku urdhërohen Inspektoratet Shtetërore dhe Trupat inspektuese për kryerjen online të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në sistemin “e-Inspektimi” nëpërmjet paketave portabel, si dhe grupet e inspektimit do të identifikohen pranë subjekteve të inspektimit me kartën e dixhitalizuar të inspektorit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm.
Moszbatimi i këtij urdhri për kryerjen dhe dokumentimin e veprimtarisë inspektuese on-line do t’Ju ngarkojë me përgjegjësi ligjore.