+355 694835881 info@insq.gov.al

Takime të Inspektorit të Përgjithshëm me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Republikës së Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sot në datën 9 Shkurt 2017 në mjediset e Inspektoratit Qendror u zhvillua një takim ndërmjet Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari dhe përfaqësuesit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, Z. Altin Fortuna.

Në takim u shkëmbyen mendime, ide, si dhe u ndanë përvoja të bashkëpunimit midis biznesit dhe institucioneve ligj zbatuese, siç janë ekipet e Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore ( e së afërmi edhe atyre të Qeverisjes Vendore (pranë 61 Bashkive).

Nga ana e Inspektoratit Qendror u prezantuan si prioritete të punës së Inspektoratit Qendror për lehtësimin e punës dhe rritjen e kapaciteteve të Inspektorateve Shtetërore dhe atyre të 61 Bashkive (Inspektorët Vendor):

Ofrimi i shërbimit Internet për 1000 grupe Inspektimi, përmes Modemeve USB Wireless (të Inspektorateve Shtetërore dhe atyre pranë Bashkive); Ofrimi i shërbimit për mundësimin e pozicionimit gjeografik të 1000 grupeve të Inspektimit (të Inspektorateve Shtetërore dhe atyre pranë Bashkive) në të gjithë vendin, shërbimi GPS; Mundësimi i mbështetjes me logjistikë për Inspektoratet Shtetërore, mjete lëvizëse (100- 150)- makina për 150 grupe Inspektimi (të Inspektorateve Shtetërore dhe atyre pranë Bashkive);

Gjithashtu, nga ana e Inspektoratit Qendror konsiderohen me përparësi në planet afatshkurtra mundësimi i regjistrimit dhe gjurmimit elektronik online në vendin e inspektimit të të gjithë procesit të Inspektimit (regjistrimi përmes kamerave mobile të procesit të inspektimit online, në vendin e inspektimit dhe në prani të biznesit);

Për mundësimin e realizimit të regjistrimeve audio multimediale në portalin e inspektimeve online kërkohet mbështetje nga Bizneset dhe Dhomat e Tregtisë, vendase dhe të huaja, për të bërë vlerësimin, shtimin dhe fuqizimin e kapacitetit (hardware dhe software) të infrastrukturës fizike e të Programeve të portalit unik të inspektimeve, me Storage dhe Servers;

Si pjesë e punës prioritare të Inspektoratit Qendror është edhe pajisja me Tableta e Inspektorëve vendore e shtetërore, të cilët do të mundësojnë pozicionimin gjeografik dhe regjistrimin online (në kohë reale) të të gjithë procesit të inspektimit për të gjitha grupet e Inspektimit të Qeverisjes Vendore, si dhe integrimi i aplikacioneve në portalin e- Inspektimi.

Gjatë bashkëbisedimit u shtrua nevoja e rritjes së ndërgjegjësimit të biznesit si për rolin e Inspektoratit Qendror si Institucioni Rregullator e mbikëqyrës i punës së Inspektorateve Shtetërore, dhe atyre të Qeverisjes vendore dhe po ashtu për rritjen e transparencës, etikës dhe profesionalizmit të ekipeve të inspektimit.

Palët ranë dakord për nënshkrimin së afërmi të një Memorandumi të Bashkëpunimit, si dhe kërkimin e mundësive për mbështetjen e punës së Inspektorëve të Inspektorateve Shtetërore, nën drejtimin Metodologjik e Ligjor të Inspektoratit Qendror

Po sot në datën 9 Shkurt 2017 u zhvillua një takim i rëndësishëm në mjediset e Dhomës Amerikane të Tregtisë midis Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari me Drejtorin e Dhomës Z. Lorenc Gjoni.
Edhe në këtë takim të kërkuar nga ana e Inspektoratit Qendror u prezantua qasja e Inspektoratit Qendror për lehtësimin e barrës së biznesit në procesin e përmbushjes së kërkesave rregullatore për Inspektimet me synimin për uljen e barrës së të bërit biznes. Palët e njohën njëra tjetrën për përpjekjet e ndërsjellta për rritjen e transparencës dhe zhvillimin e kulturës së punës së ekipeve të Inspektimit në zbatim të ligjit.
Inspektorati Qendror bëri prezantimin e punës dhe prioriteteve, si edhe në takimin e parë, të përmendura më sipër.

Palët u dakordësuan për shkëmbimin e draft Memorandumit të Bashkëpunimit i cili do t ‘i paraqitet Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për shqyrtim, me qëllim nënshkrimin e tij në një të ardhme të afërt.

Nga ana e Drejtorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë Z. Lorenc GJONI u mor angazhimi për mbështetjen e punës së Inspektoratit Qendror, në zbatim të ligjit, si dhe krijimi i mundësisë për vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta midis Inspektoratit Qendror dhe agjenci që administrojnë inspektime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këmbim informacioni dhe ekspertize.