+355 694835881 info@insq.gov.al

Inspektimet online, sfidë e së ardhmes për më shumë transparencë, efektivitet dhe garanci për mbrojtjen e biznesit në Republikën e Shqipërisë

Sot me datën 30 Janar 2017, në mjediset e Hotel Tirana Internacional u zhvillua takimi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror.
Në takim përveç anëtarëve të Kabinetit Qeveritar: Znj. Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Ministrit Prof Dr. Edmond Panarit- Ministër i Bujqësisë i Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Dhomave të Biznesit vendas e të huaj, përfaqësues të Ambasadave të huaja në vendin tonë, Kryeinspektorët e të Gjitha Inspektorateve Shtetërore, si dhe biznesmenë e sipërmarrës vendas e të huaj.
E nderuan me pjesëmarrjen e tyre këtë takim edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Z. Safet GERXHALIU, dhe Z. Nagib FEJZI, Nënkryetar i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore.
Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim HAJDARI theksoi midis të tjerave se:
Vetëm kryerja e inspektimeve me një Metodologji dhe dokumenta të Standardizuara për të gjitha Inspektoratet Shtetërore dhe ato të qeverisjes vendore do të prodhojnë akte administrative të pakundërshtueshme nga pikëpamja ligjore.
Standardizimi do të krijojnë mundësi reale që bizneset, entet publike e private të kontrollohen në mënyrë të drejtë e të barabartë me njëri tjetrin.
Do të shmangim njëanshmërinë, preferencat, subjektivizmin, klientelizmin dhe korrupsionin, pasi procedura e inspektimeve do të jetë e njëjtë, ligjërisht e mirë përcaktuar dhe objekti i kontrollit i sanksionuar qartë në listat e verifikimit (check listat) e çdo Inspektorati Shtetëror, i integruar në portal. Kjo procedurë e standardizuar metodologjikisht do të shoqërohet me kryerjen online të inspektimeve. D.m.th., trupat e inspektimeve të të gjitha Inspektorateve Shtetërore do t’i konstatojnë, evidentojnë dhe formalizojnë rezultatet e inspektimeve pranë dhe në prani të biznesit, entit publik dhe privat që inspektohet dhe njëkohësisht akti administrativ do të formalizohet po aty.
Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës, Z. Nikolin JAKA e vuri theksin në bashkëpunimin biznes publik – politik bërje, me qëllim garantimin e pamvarësisë së Inspektorateve dhe të trupave të Inspektimit, si dhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës së inspektimeve, për shmangien e praktikave korruptive dhe uljen e barrës ndaj biznesit. Kryetari gjithashtu e ftoi biznesin vendas e të rajonit që ti bashkohet përpjekjeve për standaridizimin dhe rritjen e sigurisë së produktit/produkteve për të rritur shanset e konkurrueshmërisë jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe me gjerë.
Në fjalën e saj Ministre e Ekonomisë Znj. Milva EKONOMI e përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Inspektoratit Qendror dhe Dhomës së Tregtisë e Industrisë. Gjithashtu ajo e vuri theksin në përmbushjen e kërkesave sipas Direktivave të Bashkimit Europian për një treg të vetëm dhe të përbashkët të prodhimeve dixhitale, si dhe të mundësuara nga zhvillimet e shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit e komunikimit. Ajo shprehu mbështetjen e saj për punën e Inspektoratit të ri Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut si dhe rakordimin e punës për kryerjen online të inspektimeve të standardizuara.
Në fjalën e saj Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike Znj. Milena Harito, shprehu vlerësimin e saj për punën e kryer nga Inspektorati Qendror dhe e vuri theksin në shtimin e përpjekjeve për shtimin e besimit të ndërsjelltë biznes privat, të politik bërjes dhe të trupave ligj zbatuese të inspektimeve. Ministre Harito solli në vëmendje të Inspektorateve zhvillimin me korrektësi e profesionalizëm të kritereve të drejta dhe zbatimin me pa-anshmëri të këtyre kritereve përmes inspektimeve online.
Në fjalën e tij Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Z. Edmond Panariti shprehu vlerësimin e tij për punën e Inspektoratit Qendror, inkurajoi si fillim të mbarë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit e Bashkëpunimit ndërmjet Dhomës së Tregtisë e Industrisë dhe Inspektoratit Qendror. Ministri Panariti shprehu vlerësimin e tij për qasjen biznes privat – inspektorate shtetërore për inspektime sa më efektive nga trupa inspektimi të pavarura nga politika. U soll në vëmendje të takimit krijimi i kushteve për kodifikimin e monstrave e kampioneve të cilat do të merren për analizim, për të rritur pa-anëshmërinë dhe profesionalizmin e Laboratorëve që certifikojnë cilësinë e produkteve dhe më kryesorja për sigurinë ushqimore.
Para nënshkrimit të Memorandumit nga Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Z. Nikolin Jaka iu dha mundësia edhe përfaqësuesve të biznesit si dhe sipërmarrësve pjesëmarrës që të ngrenë shqetësimet e tyre dhe ti adresoheshin me pyetje Ministrave dhe Inspektorit të Përgjithshëm.
Ky takim i parë përbën gurin e parë të themelit për të rritur e thelluar besimin në kontributin e ndërsjelltë sipërmarrje – Inspektime, duke rritur transparencën e mirëbesimin përmes Inspektimeve online.
Sfida e përbashkët mbetet modernizimi i mëtejshëm i veprimtarive inspektuese me teknologji bashkëkohore dhe krijimin e një klime të favorshme, për respektimin dhe forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.

Dorëzimi i kartave inspektor për Inspektoratet Shtetërore: ISHU, DSHPA dhe DSHV

Sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u zhvillua procesi i dorëzimit të kartave inspektor për Inspektoratet Shtetërore të ISHU (Inspektorati Shtetëror i Ujërave), DSHPA (Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës) dhe DSHV (Drejtoria e Shërbimit Veterinar).
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Bujqësisë, Z. Edmond Panariti, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari, si dhe Kryeinspektorët bashkë me inspektorët e Inspektorateve përkatëse.

Në fjalën e tij Ministri i Bujqësisë theksoj rëndësinë e ruajtjes dhe mirë administrimit të pasurive kombëtare dhe u kërkoi inspektorëve të pranishëm zbatimin me rigorozitet të ligjeve si dhe përdorimin e portalit “e-Inspektimi”, për një proces sa më efektiv dhe transparent të inspektimit.

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror shprehu përkushtimin dhe vendosmërinë e Institucionit që ai drejton për realizimin e inspektimeve online duke përdorur portalin “e-Inspektimi” nëpërmjet paketave portabël. Ai u kërkoi inspektorëve të cilët u pajisën me kartat e reja të inspektorit zbatimin me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm të ligjit dhe rregullave të inspektimit për ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare të ujërave, lumenjve, të florës dhe të faunës për të gjithë territorin e vendit.

Dorëzimi i kartave inspektor për Repartin Inspektim Shpëtim Miniera – RISHM

Sot në mjediset e Repartit Inspektim Shpëtim Miniera me pjesëmarrjen e Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror, Z. Alfred Kalo, Drejtor i Repartit Inspektim Shpëtim Miniera u organizua takimi për dhënien e kartave Inspektor.

Në fjalën e mbajtur nga Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta, gjë e cila bëri të mundur integrimin e këtij portali nga RISHM-i, për kryerjen e procedurave të inspektimit online duke përdorur paketat portabël.

Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari theksoj se me inspektimet online, firmat që punojnë në miniera e karriera të bëjnë prezantimin dhe përshtatjen e teknikave dhe zgjidhjen e teknologjive bashkëkohore, me qëllim mbrojtjen e ruajtjen e rezervave minerare dhe sigurimin e jetës së punonjësve që punojnë në shfrytëzimin e tyre.